Lokalizohet zjarri në Rugovë

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se dje ka rënë zjarr në komunën e Pejës, në fshatin Shtupeq, rajoni i Rugovës.

Përmes një reagimi në Facebook, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla ka thënë se kjo ministri menjëherë ka aktivizuar strukturat e saj dhe ka ndërmarrë veprime në monitorim, informim, si dhe koordinim të situatës emergjente.

“Njësitë e zjarrfikësve nga rajoni i Pejës dhe Gjakovës janë angazhuar me kapacitet të plotë në shuarje të zjarrit. Njëherit, në shuarje të zjarrit është angazhuar edhe Policia e Kosovës, me njësi të saj të veçanta si dhe Forca e Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrit Sveçla.

MPB thotë është duke koordinuar edhe bashkëpunimin me Ministrinë e Mbrojtjes, KFOR-in, Komunën e Pejës dhe banorët lokalë.

“Gjendja e vatrave të zjarrit është lokalizuar dhe po punohet pandërprerë në vënien nën kontroll dhe shuarjen e plotë të zjarrit si nga zjarrfikësit, FSK-ja dhe KFOR-I, të cilët janë plotësisht të përkushtuar të përfundojnë me sukses këtë intervenim”, thuhet më tej në komunikatë.

MPB siguron se qytetarët dhe prona e tyre, deri në këto momente, janë të sigurt dhe nuk ka nevojë për asnjë shqetësim.