Lokalizohet zjarri i madh në ELKOS Center në Pejë

Zjarri i madh i cili filloi sot rreth orëve të mëngjesit në qendrën tregtare ELKOS Center, në hyrje të Pejës është lokalizuar nga zjarrfikësit, edhe pse ende nuk është shuar krejtësisht.

Kështu ka njoftuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Sipas tij, policia ka bërë çdo gjë që është e mundur që mos të ketë persona të lënduar.

“Është lokalizuar zjarri, por zjarri e ka bërë punën e vet. Njësitë policore janë në vendin e ngjarjes, s’ka të lënduar, policia ka evakuuar të gjithë personat, s’ka të lënduar”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq, nga Spitali i Pejës kanë bërë të ditur se tetë persona kanë kërkuar tretman mjekësor në emergjencën e Spitalit të Pejës, për shkak të tymit nga zjarrit i madh në depot dhe qendrën tregtare ELKOS Center në Pejë.