Lluka thotë se investimet çeke në Kosovë janë rritur

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në dorëheqje, Valdrin Lluka, ka pritur në takim pune Ambasadorin e Republikës Çeke në Kosovë, Pavel Bilek, me të cilin kanë biseduar për situatën politike në vend dhe projektet ekonomike në proces.

Me këtë rast ministri Lluka, thotë se është informuar nga Bilek, që investimet dhe importi nga Republika Çeke janë rritur gjatë dy viteve të fundit, duke iu falënderuar bashkëpunimeve më të mira në mes bizneseve nga Kosova dhe Çekia.

“Ndër të tjera, Bilek theksoi se së shpejti priten që të finalizohen edhe disa investime nga ky vend, kryesisht në fushën e teknologjisë informative dhe energjisë”, thuhet në njoftimin e tij.

Lluka gjithashtu ka informuar ambasadorin çek për sektorët që mbulon MZHE, respektivisht projektet në fushën energjetike, përfshirë legjislacionin i cili është i favorshëm për investitorët e huaj.

loading…