Ministri Lluka

Lluka shpalos projektet e dixhitalizimit në Kosovë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka është takuar me Komisioneren e BE-së për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel gjatë qëndrimit të saj në Kosovë.

Lluka e njoftoi Komisioneren Gabriel, për projektet nga MZHE që kanë filluar dhe do të përfundojnë gjatë vitit 2019.

“Projekti Ekonomia Dixhitale e Kosovës është nënshkruar me Bankën Botërore dhe është aprovuar në Parlament muajin e kaluar dhe implementimi i këtij projekti do të fillojë me 15 nëntor të këtij viti. Ky projekt ka për qëllim që të mbulojë 99 për qind të Kosovës me internet 100 mbs” , tha ministri Lluka.

Gjithashtu Lluka njoftoi Komisioneren Gabriel për projektin e “Tech Parkut”, i cili pritet të përfundojë në qershor të vitit 2019 dhe për projekte të IPA II, ku Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka aplikuar me projektin e zhvillimit të tregut vendor, me të cilën synon dixhitalizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Komisionerja është shprehur e kënaqur me punën e Qeverisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për digjitalizimin e Kosovës.