Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka, ka reaguar ndaj deklaratës së Bordit të Telekomit, që këtë të parin e cilësoi tendencioz në deklarimet e tij publike.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Lluka ka thënë se “Bordi i ndërmarrjes publike Telekomi Sh.A. duhet të merret me menaxhimin e ndërmarrjes në fjalë, të sigurohet që punësimet e jashtëligjshme të ndalohen, të rishikojë kontratat e dëmshme si dhe të adresojë humbjet e mëdha që kjo ndërmarrje po i realizon… dhe jo të merret me politikë”.

“Ministria që unë drejtoj, do të kërkojë përgjegjësi nga çdo bord i ndërmarrjeve publike për keqmenaxhim dhe dëmtim të aseteve të Kosovës. Në të njëjtën kohë, edhe unë do jap përgjegjësi për punën time para qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri Lluka.

Bordi i Telekomit të Kosovës ka reaguar përmes një komunikate dërguar mediave. Aty Bordi akuzon ministrin Lluka, për “deklarime tendencioze”.

Bordi po ashtu akuzon edhe mediat duke thënë se po ndikojnë negativisht në satisfaksionin e konsumatorit dhe direkt po e dëmtojnë shumë afarizmin e kompanisë.