Asambleisti i Kuvendit Komunal të Junikut, Leonard Llolluni, ka njoftuar se sot është betuar zyrtarisht në detyrën e tij, duke e cilësuar këtë si një përgjegjësi të madhe dhe nder të veçantë.

Në një reagim publik, Llolluni ka bërë të ditur se gjatë mbledhjes së sotme të Kuvendit Komunal ka ndodhur një situatë e papritur, ku sipas tij, kryetari i Komunës, Ruzhdi Shehu ndryshoi rendin e ditës pa e futur fare në votim. Si rezultat, është hequr nga diskutimi pika që parashihte zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit.

Sipas tij, ky veprim është i padrejtë dhe i panevojshëm, sidomos duke pasur parasysh që opozita pretendon se ka pasur numrat e shumicës për të zgjedhur Kryesuesin në mënyrë të rregullt dhe ligjore.

“Ne nuk do të lejojmë që proceset demokratike të bllokohen,” tha Llolluni, duke bërë të ditur se grupi prej 8 asambleistësh të opozitës ka dorëzuar tashmë kërkesën zyrtare për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Kuvendit, me të vetmen pikë në rend dite: Zgjedhja e Kryesuesit të Kuvendit Komunal.

Ai theksoi se opozita do të vazhdojë punën me transparencë, korrektësi dhe vendosmëri, duke theksuar se institucionet duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe jo interesave të ngushta politike.

Llolluni ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe ka premtuar se do t’i mbajnë të informuar për çdo zhvillim të mëtejmë.