Llavrovi po paralajmëron versionin ukrainas për Ballkanin

Sergej Llavrovi, minisri i jashtëm i Rusisë së Putinit, ka dhënë një sinjal të cilin duhet ta kuptojnë seriozisht Perëndimi, të gjithë akterët e përfshirë në Ballkan dhe veçmas ne shqiptarët e Kosovës, si viktima potenciale të aventurave të tashme lidhur me shkëmbimin e territoreve. Llavrovi ka lënë të hapur mundësinë që Rusia t’u përgjigjet projekteve të Perëndimit në Ballkan, ashtu si u është kundërpërgjigjur në rastin e Ukrainës.

Sikundër dihet, NATO, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës tentonin ta shtrinin sferën e ndikimit dhe ta anëtarësonin Ukrainën edhe në NATO. Brenda atyre kalkulimeve ishte edhe lëvizja populiste, e cila e rrëzoi ish presidentin Janukoviq. Por, Rusia u kundërërgjigj ashpër, duke e aneksuar Krimenë dhe duke nxitur rebelimin prorus në Ukrainën Lindore, i cili edhe më tuje po e mban atë rajon në një konflikt të hapur.

Pas këtyre veprimeve të Rusisë, Perëndimi është paralizuar në Ukrainë, ndërsa Rusia ka dalë e fituar. Së paku deri sot. Prandaj, Llavrovi po e evokon atë fitore dhe po kërcënon me të:” Perëndimi insiston që të kthejë Ballkanin në një ‘skenë’ tjetër kundër Rusisë. Nuk e kanë mësuar asnjë mësim nga Ukraina.”
Sipas të gjitha gjasave, mesazhi i Llavrovit është që Perëndimi të mos tentojë ta shkëputë Serbinë nga ndikimi rus.

Ndërsa, në këtë vazhdë, Rusia kërkon që Serbia të trajtohet si satelit i Rusisë dhe në këtë status edhe t’i jipen favore, por pa ia ndryshuar kursin tradicional prorus. Prandaj, kërcënimi rus është i qartë dhe serioz, sepse tashmë është e qartë se Perëndimi nuk e ka unitetin që të veprojë në unsison përballë Rusisë. Në rastin e Ukrainës u vërtetua se Perëndimi i sotëm i përçarë, mund t’i futë shtetet në konflikt por mandej i lë në baltë. Kështu ka bërë jo vetëm në Ukrainë, po edhe në Egjipt, në Libi e në Siri.

Nga këto përvoja të hidhura të viteve të fundit, duhet më mësojmë më së shumti ne shqiptarët e Kosovës, pasi ne mund të na godasë më së shumti kjo lojë hipokrite e tashme e Perëndimit. Kur e kanë lënë në baltë Ukrainën e madhe, me pesëdhjetë milionë banorë, ne shqiptarëve të Kosovës mund të na lënë lehtësisht në baltë përballë presionit rus. Aq më tepër që kjo loja e fundit në Ballkan, me shkëmbime territoresh, mund të jetë një pakt okult Tramp-Putin, për t’a minuar e paralizuar pikërisht BE-në dhe për të ndarë sferat e reja të ndikimit ndërmejt SHBA-ve e Rusisë, pa Bashkimin Evropian.

Ndaj, kërcënimet e Llavrovit duhet të mirren seriozisht, sepse me këtë Perëndim të flashkët, me daljen e Britanisë nga BE-ja dhe me arrogancën antievropiane të Trampit, Rusia realisht ka fuqi ta shndërrojë këtë pjesë të Ballkanit në një Ukrainë proruse. (15 nëntor 2018)