Llapi thotë se Federata i ka premtuar që nuk do të dëmtohen më, i vazhdon garat

Kryesisht kur klubet janë dëmtuar nga referët në kampionat, ato gishtin e kanë drejtuar kah Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), të cilën e kanë akuzuar se u kanë dërguar gjyqtarë me qëllim për t’i dëmtuar në shenjë “hakmarrje” për kritika e kundërshtime ndaj prijësve të FFK-së.

Së fundmi Llapi – që njihet si opozitë e fortë e presidentit të FFK-së, Agim Ademi – është ankuar se ndeshje pas ndeshje po dëmtohet qëllimisht nga referimi. Dhe, dje e paralajmëroi largimin nga Superliga pasi u dëmtua në humbjen e pësuar nga Drita.

Mirëpo, FFK gjithnjë ka mohuar kategorikisht t’i ketë dëmtuar klubet opozitare përmes referimit në shenjë “hakmarrje” shkaku i kritikave.

Por, sot Llapi deklaron se nuk do të tërhiqet nga garat ngase ka marrë garanci nga FFK-ja se më nuk do të dëmtohet.

Situata e krijuar ka bërë që njëri prej kundërshtarëve më të mëdhenj të Agim Ademit, Tahir Batatina i Llapit, ta takojë sot të parin e FFK-së, prej të cilit Llapi thotë se është garantuar se ekipi i tij nuk do të dëmtohet më!

Në njoftimin e Llapit thuhet:

Llapi vendos që edhe një herë t’i vazhdoj garat

Morëm premtime që nuk do të dëmtohemi më!

Prishtinë, 2 nëntor 2020 – Pas takimit që patëm me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi si dhe nënkryetarin, Agim Dibrani është diskutuar ndeshja e djeshme ndërmjet Llapit dhe Dritës, në të cilën skuadra jonë u dëmtua në mënyrë të tmerrshme nga gjyqtarët e ndeshjes.

Në takimin e sotëm, kryetrajneri i KF Llapi, Tahir Batatina shfaqi brengën e tij në lidhje me referimin nga fillimi i këtij edicioni, duke menduar seriozisht tërheqjen nga garat e Superligës për këtë edicion. Por krerët e FFK-së theksuan që KF Llapi e meriton të jetë pjesë e Superligës dhe më nuk do ketë tendenca dhe dëmtime ndaj klubit.

Pas takimit me FFK-në, u organizua mbledhja online me kryesinë e klubit, të cilët edhe pse të tronditur nga referimi i djeshëm, menduan që duhet të jemi në gjendje gadishmërie të zhvillojmë kampionatin deri në fund, pa marrë parasysh ngjarjet e ndodhura së fundmi në dëm të KF Llapit.