Llapi ia kthen shpinën LDK-së pas 20 vjetësh

Pas 20 vjetësh, për herë të parë, LDK-ja e humbi bastionin e saj të padiskutueshëm deri tash, Podujevën. Agim Veliut më s’është “pasha” i padiskutueshëm i Llapit, atij iu mor Podujeva nga ish bashkëpartiaku i tij, Shpejtim Bulliqi.

Shpejtim Bulliqi, që deri para dy vjetëve ka qenë pjesë e LDK’së dhe shumë vjet ka pasur funksione brenda komunës së Podujevës, tash e ka mposhtur ish partinë e tij nën siglën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai fitoi kundër ish-bashkëpartiakut të tij Nexhmi Rudarit. Bulliqi mori 51.64 për qind të votave, duke mos pasur nevojë të shkohet në balotazh.

Kjo shihet si humbje e Agim Veliut, të fortit të LDK’së në Llap, që ka fituar të gjitha zgjedhjet komunale që nga përfundimi i luftës. Ai ka dalë vetë në konferencë për të thënë se “ne i kemi humbur këto zgjedhje”.

Fushata zgjedhore në Llap është parë më shumë garë mes Albin Kurtit e Agim Veliut, sesa e dy kandidatëve. Sepse, ata kishin nisur luftën mes vete në Qeveri, kur Kurti ishte kryeministër, e Veliu u bë ministër i Punëve të Brendshme. Kurti e shkarkoi nga pozita, e kjo i kushte me rrëzim nga pushteti.

“Shej’ nuk ma ka lënë”, kishte thënë Veliu, pasi ish-kryeministri Kurti e shkarkoi.

Një shenjë Veliut iu bë sonte kur LVV’ja ia mori LDK’së një nga bastionet e fundit të saj.

Podujeva shkoi në zgjedhjet e parakohshme pasi kryetari i saj, Agim Veliu, la detyrën për t’u bërë pjesë e qeverisë në muajin shkurt të këtij viti. Në garën për kryetar të Podujevës kanë qenë Shpejtim Bulliqi i LVV’së, Nexhmi Rudari i LDK’së dhe Naim Fetahu i PDK’së.

Shpejtim Bulliqi do ta udhëheqë komunën për 8 muaj, deri në mbajtjen e zgjedhjet komunale në tërë Kosovën, pra në fund të vitit 2021.