Llapi ka arritur fitore të vështirë në Prishtinë 0-1 përballë Flamurtarit, duke fituar terren me skuadrat e kreut.
Golin e vetëm të takimit e realizoi Behar Maliqi në minutën e 84-të, e që doli të jetë i mjaftueshëm për llapjanët.
Llapi pas këtij triumfi konsolidon pozitat në vendin e tretë me 32 pikë gjersa ka 5 pikë më pak se lideri i tabelës, Prishtina.
Ballkani ka arritur një fitore senzacionale në shtëpi ndaj Gjilanit duke e mposhtur me rezultat 4-1 skuadrën e trajnerit Sadat Pajaziti.
Të parët në avantazh kaluan gjilanasit që zhbllokuan takimin me autogolin e Elbasan Gashit në minutën e 19-të.
Megjithatë klubi nga Suhareka përmbysi gjithçka, por fillimisht reagoi në minutën e fundit të pjesës së parë me anë të Durim Gashit.
Me fillim të 45 minutëshit të dytë, Ballkani gjeti golin e epërsisë me sulmuesin Blend Baftiu, ndërsa 12 minuta para fundit Arbër Potuku i siguroi 3 pikët vendasve, megjithatë deri në fund kishte kohë edhe për një gol të Leutrim Gashit.
Me këtë triumf Ballkani është ngjitur në vendin e 8-të me 21 pikë të tubuara, kurse Gjilanit i rrezikohet pozita e 4-të nga rivali i qytetit Drita që nesër luan në shtëpi me Feronikelin.
Fitore të thjeshtë dhe të pritshme ka arritur Liria në ballafaqimin me KEK-un në Obiliq, me rezultatin përfundimtar që shënonte 0-3 në të mirë të prizrenasve.
Veterani Robert Gjeraj dhe Blendi Memaj shënuan në pjesën e parë, ndërkohë fitoren e Lirisë e vulosi Fatih Karahoda në minutën e 66-të.
Liria numëron 3 fitore rresht ndërsa ka grumbulluar gjithsejt 19 pikë në pozitën e 9-të, në anën tjetër KEK-u është pa shpresë në fund të klasifimit me vetëm një pikë.







