Lladrovi reagon pas paralajmërimit të ministrit Muratit për auditim

Pas njoftimit të Ministrisë së Financave ku thuhet se do të kërkojë nga Zyra e Auditimit, auditim të veçantë për të konstatuar se “përgjegjësia e çdo shkeljeje ligjore bie mbi Zyrtarët Kryesor Administrativ të organizatave buxhetore dhe stafin përkatës”, ka reaguar kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Lladrovci thotë se Zyra e Auditorit nuk mund të urdhërohet nga askush, as të bëhet instrument për frikësim.

“Sa i përket auditimit, Komuna në baza vjetore auditohet nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe si i tillë, çdo auditim është i mirëseardhur. Deklarata e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është në kundërshtim me Ligjin për Auditorin e Përgjithshëm, ngase përmes tendencës për ndërhyje në punën e një institucion të karakterit kushtetues jo vetëm lëndohet parimi i ndarjes së pushteteve por cenohet direkt ushtrimi i funksionit të Auditorit, i dhënë me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi”, shkruan ai.

“Mbi këtë bazë, Ligji nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, respektivisht Neni 4, (paragrafi 1) thekson: “Auditori i Përgjithshëm është i pavarur nga ana funksionale, financiare dhe operative dhe nuk i nënshtrohet urdhrit ose ndikimit nga cilido institucion apo person tjetër”. Zyra e Auditorit nuk mund të urdhërohet nga askush, as të bëhet instrument për frikësim!”, përfundoi Lladrovci.