Lladrovci reagon ndaj ndarjes së komunave mbi baza partiake

Kryeyari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ndaj tendencës së politizimit të paarsyeshëm të disa komunave, ndaj çështjeve me interes për qytetarët dhe komunat.

Lladrovci ka porositë se “të gjithë duhet ta dinë se komunat nuk janë në fushatë zgjedhore!”

Postimi i plotë i tij:

Komunat nuk janë në fushatë zgjedhore!

Pushteti lokal funksionon mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe ligjore, përkatësisht Ligjit për vetëqeverisjen lokale. Komunat si hallkë shumë e rëndësishme e pushtetit, janë të përfaqësuara në Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK), si mekanizëm koordinues i shumë problematikave të komunave, e para së gjithash të qytetarëve.

AKK ka ngritur dhe ngritë probleme të shumëta, përtej ndasive politike dhe partiake, në interes për qytetarët dhe komunat (jo të partisë), ka qenë dhe është interesi që na bashkon.

Por, kohëve të fundit ka tendenca të politizimit dhe të çështjeve që nuk do të duhej të politizoheshin.

Rast tipik i politizimit të një numri të vogël të komunave (4 sosh) të kryetarëve të komunave, ishin paditë e komunave, për kontrata të nënshkruar nga ish ministrat e papërgjegjshëm – të arsimit dhe të shëndetësisë. Këto kontrata po shkaktojnë humbje milionëshe në buxhetet komunale edhe ashtu të varfëra dhe pa përkrahje nga niveli qendror.

Një rast i tillë është, po ashtu edhe me tendencën për politizim (nga po këta kryetarë) i grevës dhe presionit për mbajtje të mësimit.

Edhe ne kryetarët tjerë jemi shumë pro mbajtjes së mësimit dhe fillimit të tij sa më parë, po ashtu e mbështesim dhe e mirëpresim çdo iniciativë për dialog social dhe gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme ndërmjet Qeverisë dhe kërkesave sindikale.

Andaj, të gjithë duhet ta dinë se komunat nuk janë në fushatë zgjedhore!