Lladrovci për rastin e Berishajt: Tronditëse dhe goditje për të gjithë neve nëse del e vërtetë

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar për raportimet rreth përfshirjes së ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berisha në një aferë të madhe financiare.

Lladrovci ka thënë se e ka njohur Berishajn që nga rinia e hershme kur të dy përkushtoheshin për çështjen kombëtare.

Kryetari i Drenasit e ka quajtur tronditës faktin se Berishaj mund të jetë i përfshirë në këtë aferë financiare.

“E njoha në proceset e rëndësishme për vendin dhe kombin. E njoha në dritën më të mirë.
E tërë kjo, nëse është e vërtetë, është goditje për të gjithë neve. Është tronditëse. I besuam Martinit dhe e çmuam, si malësor të fjalës e përkushtimit atdhetar, si intelektual dhe kontribuues të madh për shkencën dhe çështjen kombëtare.
Uroj sa më shpejtë të dalë në shesh e vërteta!”, shkruan ndër të tjera ai.

Postimi i plotë:

Dy fjalë për Martinin
Me shqetësim mora vesh nga portalet se miku im Martin Berishaj ka bërë një ndërmjetësim financiar, ndërmjetësim sa i pabesueshëm, aq i dëmshëm.
E njoha nga rinia ime e hershme, në rrethet më të vendosura e më kontribuuese për çlirim, ishte me plotë besim dhe përkushtim për çështjen kombëtare. Ishte pjesë e shumë proceseve pozitive dhe me peshë për luftimin e okupatorit, nga ilegaliteti i hershëm e deri në luftën tonë çlirimtare dhe shtetndërtimin.
E njoha në proceset e rëndësishme për vendin dhe kombin. E njoha në dritën më të mirë.
E tërë kjo, nëse është e vërtetë, është goditje për të gjithë neve. Është tronditëse. I besuam Martinit dhe e çmuam, si malësor të fjalës e përkushtimit atdhetar, si intelektual dhe kontribuues të madh për shkencën dhe çështjen kombëtare.
Uroj sa më shpejtë të dalë në shesh e vërteta!