Ramiz Lladrovci

Lladrovci në vizitë tek Hysni Gucati: Je krenaria e kombit

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci me shokë e bashkëpunëtorë, ka vizituar kryetarin e Shoqatës së Veteranëve dhe Invalidëve të UÇK-së, të liruar nga Gjykata e Hagës.

”Hys, ti me shokë, je krenaria e kombit, andaj, mirë se ke ardhë. Po dëshmohet se heronjtë kthehen të fundit nga beteja. Asnjë gjyq nuk mund ta errësojë shkëlqimin e përjetshëm të UÇK-së”, ka deklaruar Lladrovci.

Postimi i plotë:

Në Morinë, me shokë e bashkëpunëtorë, e vizituam Hysin, për t’i thënë se solidariteti ynë, ka qenë dhe mbetet maksimal me të dhe shokët tanë që ndodhen padrejtësisht në Hagë.

Hysit i dëshirova mirëseardhje, me dëshirat më të mira që gjithmonë të ketë gëzime për të dhe shokët tanë të cilët i presim sa më shpejtë fitimtarë, Hashimin, Kadriun, Jakupin, Rexhën, Nasimin, Calin, Pjetrin…

Vlera sublime e kombit tonë, UÇK-ja, do të mbetet misioni më fisnik dhe më i çmuar që nga koha e Skënderbeut e këndej për liri e dinjitet nacional, andaj nuk na befasojnë sfidat që i sjellin keqbërësit dhe do të dalim sërish fitimtarë. Çështja jonë e drejtë, liria e Kosovës na siguron këtë fitore, sot e gjithmonë.

Vuajtjet që i solli Haga, preku krejt kombin, mua në veçanti, duke u përpjekur të më bëjnë dëme, në vendin ku dhemb më së shumti, por dështuan. Ashtu siç iu hoqën retë e zeza Kosovës dhe shokëve tanë, mu hoqën edhe mua.

Hys, ti me shokë, je krenaria e kombit, andaj, mirë se ke ardhë. Po dëshmohet se heronjtë kthehen të fundit nga beteja. Asnjë gjyq nuk mund ta errësojë shkëlqimin e përjetshëm të UÇK-së!