Lladrovci: Kurrë nuk do të harrojmë përkushtimin e popullit tonë për liri

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lkadrovci, sot së bashku me Presidenten e vendit, Vjosa Osmanin dhe kryetarin e Skenderajt, Bekim Jasharin, mori pjesë në shënimin e përvjetorit të rënies heroike të komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra, 40 dëshmorët dhe 275 martirët e Vërbovcit dhe Shtuticës.

Lladrovci ka shkruar se “ne kurrë nuk do të harrojmë përkushtimin e popullit tonë për liri, heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë! Andaj sot e çdo ditë, ndjejmë përgjegjësi duke kryer detyrimet tona ligjore, punët e mira për qytetarët dhe shtetin tonë!”

Postimi i plotë i Ramiz Lladrovcit:

Në këtë ditë të përkujtimit, të dhimbjes dhe krenarisë, kujtojmë me nderim të thellë, Komandantin e UÇK-së, heroin Ilaz Kodra, 40 dëshmorët dhe 275 martirët e kombit nga Vërboci, Shtutica dhe fshatrave përreth. Sot, pas 22 vitesh, me Presidenten e vendit, Vjosa Osmanin dhe kryetarin e Skenderajt, Bekim Jasharin dhe nën kryetarët Nuredin Lushtakun dhe Arben Shalën dhe drejtuesit tjerë lokal, kemi bërë homazhe dhe kemi vendosur kurora me lule pranë Memorialit së heroit Ilaz Kodra në Vërbovc, pranë Memorialit të dëshmorëve në Marinë si dhe në Vërboc e Shtuticë.

Sot, vendosëm kurora me lule në dy nga 400 vendet ku u krye gjenocid nga forcat serbe. Për fat të keq, drejtësia ende nuk ka vepruar kundër planifikuesve dhe ekzekutuesve të këtyre masakrave. Ne kurrë nuk do të harrojmë përkushtimin e popullit tonë për liri, heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë! Andaj sot e çdo ditë, ndjejmë përgjegjësi duke kryer detyrimet tona ligjore, punët e mira për qytetarët dhe shtetin tonë! Lavdi e përjetshme Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!