Ramiz Lladrovci

Lladrovci: Darkat politike mund të maskohen me motive tjera, por nuk mund ta ndalin qeverisjen time të shkëlqyer

Ramiz Lladrovci përmes një postimi në Facebook ka thënë se darkat në Komunën e Drenasit ku sipas tij po marrin pjesë edhe disa “koka” të komunës që ai drejton, të motivuara politikisht por siç thotë të maskuara me motive tjera nuk mund të lëkundin besimin e qytetarëve.

Tutje ai ka thënë se këto darka në pamje festive po e dëshmojnë unitetin joparimor përballë qeverisjes së tij.

“Darkat politike mund të maskohen me motive tjera por nuk mund ta ndalin qeverisjen e shkëlqyer, të bazuar në ligj, me transparencë e llogaridhënie. Ato nuk mund ta ndalin barazinë para ligjit, sepse, nuk më bëhet vonë pse disa “koka” mendojnë se janë më të barabartë se të tjerët”, ka shkruar ai mes tjerash.

Postimi i plotë:

Darka është vakti i tubimit tradicional ndër ne, kur krejt “shpia” kthehej pranë oxhakut. Kjo kohë, tashmë, ka edhe motive të ndryshme përtej “darkës”. Tubimet në Kosovën e lirë, kanë krijuar rrethana e orare të reja, me motive të cilat, gëzojnë mysafirët dhe familjen ku mbahet “darka”.

Darka të filluara në Komoran, para gjashtë a më shumë vjetëve, të motivuara nga politika që vinte nga komunat tjera, vazhdojnë të mbahen edhe në ditët e sotme në komunën tonë. Më duket qesharake fshehja apo maskimi i darkës politike me motive tjera.

Po të mos ishin politike këto darka, fare nuk do të merrnin as vëmendjen e as komentimin e qytetarëve e as nuk do të lansoheshin mesazhet nga aty. Pra, ajo organizohet për motive politike. “Organizatori” kujdeset të ftojë grupet e caktuara për të dëshmuar “unitet”, “pajtim” e deri edhe “anëtarësim” në parti politike. Për një njohës të politikës, këto darka nuk janë të rastit e as naive me mesazhet e tyre.

Darkat, nga e para në Komoran, e deri te e fundit në Nekoc, tregojnë për motivin themelor, “unitetin” e oponentëve të mi, të cilët nuk mund të ballafaqohen ballë për ballë me mua qoftë si opozitë, apo për debat dhe vizion brenda PDK-së, ju shërbejnë qytetarëve që lejojnë të mashtrohen.

Darkat në komunën e Drenasit, ku po marrin pjesë edhe disa “koka” të komunës tonë dhe më gjerë, të motivuara politikisht por “të maskuara” me motive tjera, nuk mund ta lëkundin besimin e qytetarëve ndaj qeverisjes së mirë. Disa nga këto darka në dukje festive e formale, po e dëshmojnë unitetin joparimor përball qeverisjes time.

Darkat, është mirë që mbahen, sepse, qytetari po e vëren kush është kush dhe me kë është. Këtu, po ngjan të shihen edhe zyrtarët e nivelit qendror që po bien “viktima” të këtyre darkave, duke dëshmuar se janë rrugës për ta devijuar legalitetin që përfaqësojnë brenda PDK-së.

Darkat politike mund të maskohen me motive tjera por nuk mund ta ndalin qeverisjen e shkëlqyer, të bazuar në ligj, me transparencë e llogaridhënie. Ato nuk mund ta ndalin barazinë para ligjit, sepse, nuk më bëhet vonë pse disa “koka” mendojnë se janë më të barabartë se të tjerët.

Darkat vazhdojnë, unë vazhdoj me qeverisjen e mirë, duke mos pasur mesazh të ri pos atij nga zgjedhjet e kaluara: Keqbërësit nuk kanë vend në qeverisjen e Drenasit!

VIDEO BONUS: Interesim i madh për pasaporta pas liberalizimit – Për dy ditë aplikuan 7 400 qytetarë