Shkëlqen Salah

Liverpooli merr kreun në Premier League pas triumfit të thellë ndaj Bournemouthit (Video)

Liverpooli ka arritur të fitojë lehtësisht në udhëtim te Bournemouthi teksa ka triumfuar me rezultat të thellë 0-4, me Mohamed Salah që realizoi tre gola.

Ishte pikërisht ylli egjiptian që zhbllokoi takimin me golin e realizuar në minutën e 25-të, derisa dërgoi në rrjetë topin e mbetur në zonën e rrezikshme pas gjuatjes së Firminos.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa në fillim të së dytës ishte sërish Salah protagonist i cili nuk gaboi përballë portierit boshnjak, Asmir Begovic.

Fitorja e “The Reds” u sigurua pas autogolit të Cook në minutën e 68-të, ndërsa deri në fund pati kohë edhe për golin e tretë të Mohamed Salah, me ish sulmuesin e Romës që barazoi sulmuesin e Arsenalit, Aubameyang në listën e golashënuesve më të mirë në Premier League me nga 10 gola.

Liverpooli përkohësisht është lider i Premier Leagues me 42 pikë, një më shumë se Manchester City që të shtunën pasdite ka një ballafaqim të vështirë në udhëtim te Chelsea.