Lista serbe ka njoftuar sot se nënkryetari i kësaj partie, Milan Radoiçiq, ka qenë në protestat e serbëve në veri të Kosovës të dielën.

Lista serbe ka reaguar kështu ndaj deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka folur për video-incizimin e Radoiçiqit, që ishte i shfaqur nga Veriu i Kosovës, duke thënë se “Unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo, sepse nga këtu nuk ka kthim. Rroftë Serbia”, shkruan KoSSev, transmeton paparaci.

Sveçla tha se Radoiçiq nuk është në veri, duke thënë se ai është futur në Kosovë ka bërë një video-incizim dhe kur është kthyer në Serbi e ka publikuar incizimin.

Tutje ai tha sipas informatave që ka, Radoiçiq ka qëndruar vetëm disa orë në Kosovë dhe është kthyer prapë në Serbi.

Megjithatë, Lista serbe po pretendon se deklarata e Sveçlës “ilustron më së miri qëndrimin antiserb të autoriteteve në Prishtinë të udhëhequr nga Albin Kurti, i cili nuk është i interesuar për paqen, por dëshiron të provokojë konflikte që mund të kenë pasoja të pallogaritshme për të gjithë, si për serbët dhe shqiptarët”.