Lista Serbe mbron Radojçiqin dhe i reagon deputetit Rexhaj, kërkon sqarime edhe nga Kurti

Lista Serbe ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të VV-së, Arbër Rexhaj,  i cili pas një videoje të publikuar dje në një medium qeveritar serb, e në të cilën shihet nënkryetari i Listës Serbe i sanksionuari nga SHBA-të, Milan Radojiçiq, siç pretendohet diku në veri të Republikës së Kosovës duke dhënë “mesazhe” për qeverinë, ka thënë se Radojiçiq ose dëshiron të martirizohet ose të arrestohet, dhe thotë se njërën nga këto gjëra Radojiçiq dëshiron ta bëjë duke nisur një kryengritje të serbëve, shkruan Express.

Lista Serbe tha se kryeministri Albin Kurti, do të duhej ta thërriste për sqarime deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe t’i kërkonte përgjegjësi.

“Këto kërcënime me vdekje, nëse do të kishte rend dhe ligj, do të duhej të shqyrtoheshin e të thirrej për përgjegjësi deputeti i Kurtit. Por pasi që serbëve në ‘Kosovë dhe Metohi’ e drejta për drejtësi u është mohuar me dekada, fatkeqësisht edhe ky kërcënim do të mbetet pa sanksione nga organet kompetente”, thuhet në komunikatën e lëshuar në Facebook.

“Deklarata e nënkryetarit Radojçiq është e shkurtër dhe e qartë, e sinqertë dhe me peshë, pasi ai është njëri që mban fjalën. Për këtë, te serbët ka ngjallur trimëri dhe përkrahje, kurse në Prishtinë, tek ata që duan t’i dëbojnë serbët ka nxitur nevojë për ta kërcënuar me vdekje”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.