Lista Serbe kërkon nga Escobar dhe Lajçak mosreduktimin e kompetencave të Asociacionit

Lista Serbe është takuar me emisarin e SHBA-së, Gabriel Escobar, dhe atë të BE-së, Miroslav Lajçak, duke thënë se atyre iu theksuan problemet e serbëve në Kosovë dhe dialogu Kosovë-Serbi.

Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, bashkë me zyrtarët e tjerë të partisë, thanë se Marrëveshja e Brukselit është shumë e qartë dhe duhet zbatuar.

“Delegacioni i Listës Serbe, Goran Rakiq, theksoi se Marrëveshja e Brukselit është e qartë dhe se populli serb kundërshton synimet e Prishtinës për t’i reduktuar obligimet e tyre sa i përket kompetencave të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sikurse ato në fushën e gjyqësorit, energjetikës, diplomave dhe realizimit të vizitave për serbët në këto rajone”.

Lista Serbe tha se kërkesë urgjente e tyre është “forcimi i sigurisë në pronën e tyre dhe pasuritë e Kishës Ortodokse Serbe”, derisa kërkesë shtesë për ndërkombëtarët ishte edhe që ata të bëjnë përpjekje “për të parandaluar lëvizjet e njëanshme të Prishtinës që po rrezikojnë sigurinë, paqen dhe bashkëjetesën në këto zona”.

Këtë të marte, dy emisarët zhvilluan vizita të ndara në partitë opozitare të Kosovës, PDK-në, LDK-në dhe AAK-në.

Escobar dhe Lajçak, në ditën e parë të vizitës së tyre zyrtare në Kosovë, më 31 janar, u takuan me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.