Ushtria e Kosovës

Lista Serbe jashtë “lojës”, partitë shqiptare i thonë po Ushtrisë

Forca e Sigurisë së Kosovës pritet që nesër të marrë votat e Kuvendit për zgjerimin e mandatit të saj.

Me votimin për tri projektligjet për FSK-në, kjo forcë pritet të fillojë rrugëtimin e saj drejt një ushtrie, siç është quajtur shpesh nga zyrtarë të ndryshëm, me standarde të NATO-s.

Ushtria si rrallë procese të tjera, kësaj radhe ka bashkuar pozitë e opozitë rreth një qëndrimi.

Të gjithë pro Ushtrisë, me përjashtim të Listës Serbe.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK –së, Avdullah Hoti, gjatë ditës së djeshme në një konferencë për media tha se subjekti i tij do t’i votojë të tri projektligjet për FSK-në.

Në të njëjtin vijë të mendimit lidhur me këtë çështje janë edhe dy partitë tjera opozitare, Vetëvendosje e PSD.

Deputeti i VV-së, Ismajl Kurteshi, tha sot për lajmi.net se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrim, dhe se Ushtria do të votohet.

“Natyrisht, nuk ka diskutim për këtë çështje”, ka thënë shkurt ai.

Edhe deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, për lajmi.net tha se partia e saj nuk i ka ndryshuar qëndrimet sa i përket Ushtrisë.

“Ne e kemi votuar edhe në lexim të parë, dhe natyrisht që do ta votojmë edhe në të dytin”, ka thënë sot Pantina për lajmi.net.

E kundër Ushtrisë së re të Kosovës po del të jetë vetëm Lista Serbe.

Zyrtarë nga ky subjekt madje shpesh herë i kanë shprehur edhe “shqetësimet” e tyre Beogradit lidhur me këto veprime të institucioneve të Kosovës.

Me apo pa Listën Serbe, Ushtrinë, ashtu siç është paralajmëruar tash e sa kohë do ta votojë edhe koalicioni qeverisës.

FSK-ja në mandatin e ardhshëm të saj, pritet t’i ketë rreth 8 mijë ushtarë. Prej tyre 5 mijë do të jenë trupa aktiv, ndërkaq që 5 mijë do të jenë trupa rezervë.