‘Lista Serbe do të jetë pjesë e Qeverisë Kurti’

Anëtari i AKR-së, Fatmir Matoshi, ka thënë se koalicioni i partisë së tij me Nismën Socialdemokrate të Kosovës, e ka kaluar pragun më 6 tetor në orën 19:00, kur janë mbyllur qendrat e votimit.

Por Matoshi ka thënë se AKR-ja që drejtohet nga Behgjet Pacolli nuk është e kënaqur me rezultatin e arritur në zgjedhje.

“Nuk e kemi kaluar pragun në fund por e kemi kaluar me 6 tetor. Ka qenë rezultat i ngushtë. Ne e kemi përfunduar me 6 tetor, në orën 7, kur edhe kemi marrë informacionet se do të jemi në Kuvend”, ka thënë Matoshi.

“Nuk është se jemi të kënaqur me atë që kemi arritur, kemi menduar që do të kemi më shumë deputetë”, ka thënë më tej ai në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë u mungojnë vetëm 50 vota që të kishin kandidatin e tretë nga AKR-ja.

“Që të ishim 3 me 3 me Nismën”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se dy deputetët e AKR-së, do të qëndrojnë bashkë me Nismën në grup parlamentar, përderisa nuk kemi asnjë arsye për t’u ndarë.

“Sot për sot nuk kemi asnjë arsye për t’u ndarë. Do të vazhdojmë të jemi në një grup dhe të japim kontributin tonë në rolin që do të kemi, në interes të qytetarëve të Kosovës dhe të synojmë që secila qeveri që vjen të jetë më e mirë se ajo që shkon”, ka thënë Matoshi.

Ai ka thënë se nuk kanë pasur ofertë për t’u bashkuar në qeveri.

“Natyrisht se biseda ka edhe me Vetëvendosjen dhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës më tepër, por mbetet të shihet”, ka thënë ai.

Matoshi ka thënë se “jemi të gjithë dëshmitarë të një premtimi të një qeverie në interes të qytetarëve me shumicë shqiptare”.

“Ata nuk e kanë shumicën shqiptare. Qeverinë e re ka më pak se 61 deputetë”, ka thënë Matoshi..

Ai ka shprehur bindjen se Lista Serbe do ta votojë qeverinë Kurti dhe do ta ketë ministrin e vet në Qeveri.

“Nuk jemi për zgjedhje të reja dhe mendojmë se gjuha e fushatës duhet të përfundojë. Por po prognozojë këtu që Lista Serbe do të jetë në Qeveri. Pra votat tona janë të panevojshme në këtë kontekst”, ka thënë Matoshi. “Qeveria mund të llogarit në votat tona, në vendimet që janë në të mirë për vendin”.

Matoshi është kthyer prapa në kohën kur i është ndarë LDK-së, e i është bashkuar PAN-it duke maksimalizuar hisen në qeveri.

“Edhe pse shumë i kritikuar, ai vendim i asaj kohe ka qenë i drejtë, i ka dhënë një mundësi që ata që kanë fituar në zgjedhje të krijojnë qeverinë, dhe në njëfarë forme e ka zhbllokuar ngërçin që Kosova ishte në atë kohë. Tash jemi në një situatë tjetër, kemi Vetëvendosjen që bashkë me Alternativën kanë 29 deputetë dhe LDK-në të vetme që ka 28 deputetë. Shoh që janë të kundërta”, ka thënë ai. “S’dimë kur janë dakorduar për pika të tjera, e shohim liderët që tash thonë se cili po zgjedh i pari e cili i dyti. Paramendojeni nëse për programin është vendos të zgjedhet programi nga VV-ja e ministri nga LDK-ja”.

Matoshi po ashtu ka thënë se kjo parti është ndëshkuar nga qytetarët me votë, për shkak se ishte pjesë e qeverisë me PAN-in. I pyetur se a është AKR-ja pro reformës zgjedhore që presidenti të zgjidhet me votë të popullit, Matoshi ka thënë se kjo është ide e kahmotshme e kësaj partie.

“Kemi dal keq nga kjo qeveri, jo që kemi dal mirë. Nuk është se s’jemi ndëshkuar edhe nga votuesit tanë edhe nga qytetarët. Por po e përsëris se vendimi ka qenë i drejtë në atë kohë. S’mund të flas për detaje, por kemi pas qeveri me 21 ministri, me matematikën ne kemi pas 20 për qind të pushtetit. Tash po vijnë iniciativa dhjetë vjet pasi i ka propozuar AKR-ja. Tash edhe bashkimin me Shqipërinë secili subjekt thotë se duhet të bëhet nga ekonomia. Pcolli e ka lansuar i pari. Edhe zgjedhjen e presidentit nga populli”, ka thënë në fund ai.