Autoritetet serbe kanë liruar pas tre ditë mbajtje në paraburgim punëtorin e Administratës Tatimore të Kosovës Marjan Gjoka. I njëjti ishte arrestuar të dielën në Serbi nën dyshimet për krime të luftës gjatë viteve 98-99. Për rastin u mobilizuan autoritetet kosovare, BE e ambasadat në vend.

Lajmin për lirimin e tij e ka dhënë miku i tij, Kristë Gjikaj, i cili është komandant i Policisë së Kosovës në Gjakovë.

“Te nderuar miq. Fillimisht dua te ju falenderoj te gjitheve per mbeshtetjen tuaj ne rastin e shokut tim dhe tuajin Marjan Gjoka. Njekohesisht ju njoftoi se Marjani sapo eshte liruar dhe per pak ore pritet te mberrij ne Merdar. Perjetesisht mirenjohes te gjitheve! ???????”, ka shkruar ai.

Nga Kroacia Gjoka përmes rrugës transit ishte duke u kthyer për në Kosovë, por, që në Serbi do të arrestohej nga policia pasi që emri i tij figuronte në listën kufitare që ka shteti serb për ish-ushtarët e UCK-së, për të cilët pretendojnë se kanë kryer krime luftë.

Ai ishte arrestuar nën dyshimet që rëndojnë gjatë periudhës 1998-1999 tre ditë më parë në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë.

Për rastin e tij u mobilizuan autoritetet kosovare, Bashkimi Evropian, si dhe ambasadat në vend.

Autoriteteve kosovare nga ndërkombëtarët iu është thënë se janë dukë vëzhguar situatën.

Lirimin e tij e ka kërkuar edhe shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli. Përmes Facebook-ut ai ka shkruar se frikësimi dhe provokimet ndaj zyrtarëve të Kosovës që udhëtojnë në Serbi nga aparati i sigurisë se Serbisë janë një kujtim i mentalitetit të viteve ’90.