Lirohet rryma për bizneset, por jo për amvisëritë

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim që të mos i ndryshojë tarifat e energjisë elektrike për amvisëritë. Por ajo ka vendosur që rrymën të lirojë vetëm për biznese.

Bordi ka vendosur që çmimi i rrymës për konsumatorët industrial, komercial dhe të ndriçimit publik të lirohet për 5 për qind.

“Kjo ulje e çmimit të energjisë elektrike nuk do të jetë retroaktive, përkundër që një vendim i tillë është dashur të zbatohet nga muaji 1 prill. Ky vendim do të jetë në fuqi deri me 1 prill, kur bordi i ZRrE-së duhet të marr vendim të ri për tarifat pas azhurnimeve të nevojshme”, thuhet në njoftim.

Për më tepër thuhet se vendimi i ZRRE-së është mbështetur në faktin që bizneset kanë paguar çmim më të lartë të energjisë krahasuar me konsumatorët e amvisërisë dhe rrjedhimisht ka pasur ndër-subvencione në mes të këtyre konsumatorëve.

Vendimi për tarifa të reja pritet të hyjë në fuqi nga data 1 nëntor.