Lirohet nga arresti shtëpiak udhëheqësi i “Dardanëve”, Lulzim Berisha, i dyshuar për fajde

Udhëheqësi i tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha ishte arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar nën dyshimin për veprën penale ‘organizim të fajdeve, detyrimeve dhe kanosjeve’.

Akuzat ishin mohuar nga pjesëtarët e tjerë të tifo-grupit, të cilët kishin thënë se udhëheqësi Berisha nuk është marrë me punë të tilla.

Berisha ishte arrestuar në operacionin e Policisë së Kosovës të koduar me emrin “UNION”, ku ishin arrestuar 5 persona ndërsa dy të tjerë ishin arratisur.

Të dyshuarit i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak, por sipas avokatit të tij, Nasuf Hasanit, Berisha tashmë është i mbrojtur në liri.

“Lulzim Berishës i është ndërruar masa e arrestit dhe tashmë është në mbrojtje në liri. Në rast të ndonjë aktakuze pas mbarimit të hetimeve, Berisha do të lajmërohet në gjykatë, por nuk ka asnjë provë që e lidh klientin tim me këtë rast”, ka thënë avokati Hasani për Ballkani.info.

Tutje, Hasani i ka mohuar të gjitha dyshimet ndaj udhëheqësit të “Dardanëve”, se mund të jetë i përfshirë në raste të fajdeve, kanosjeve apo detyrimeve.

“Luli ka qenë i përdorur aty, ta keni të qartë se ai nuk ka bërë asnjë vepër penale andaj edhe nga java e kaluar i është ndërruar masa e arrestit”, ka deklaruar Hasani.

Kujtojmë se në aksionin e policisë, ishin arrestuar edhe dy djemtë e ish-ushtarit të UÇK-së, Sabit Gecit. /Ballkani.info