Lirohet nga akuza për korrupsion ish-zyrtari i Komunës së Drenasit

Ish-zyrtari i administratës së Kuvendit Komunal të Drenasit, Xhemë Binaku, në mungesë provash është liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Binaku akuzohet se gjatë periudhës kohore 2008-2012, kishte kërkuar dhe marrë para nga i dëmtuari Bardhyl Geci, në emër të qirasë së lokalit “F8”, i cili ndodhej në Qendrën Tregtare të Drenasit dhe këto të holla nuk i kishte evidentuar dhe paguar Komunës së Drenasit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi në fjalë është shpallur të mërkurën, nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Çerkini.

Sipas saj, nuk është provuar se i akuzuari Binaku kishte kryer veprën penale, e cila i vihet në barrë, ndërsa pala e dëmtuar në këtë rast është udhëzuar në kontest civil.

Ndërsa gjatë dhënies së mbrojtjes në seancën e 26 korrikut, i akuzuari Binaku kishte deklaruar se i dëmtuari Geci kishte tentuar t’i bëj zhvatje, në mënyrë që ta marrë lokalin në Qendrën Tregtare në Drenas.

Kurse në seancën e 8 gushtit 2019, në fjalën përfundimtare, ai kishte deklaruar se ky proces gjyqësor e kishte dëmtuar.

“Kjo çështje për mua ka qenë një katastrofë, cenim i personalitetit dhe karakterit tim, unë për tri mandate kam ushtruar pozitën e kryesuesit të kolegjiumit profesional të drejtorëve të administratës komunale në asociacionin e komunave të Kosovës deri në pension, ndërsa kryeshef i komunës së Drenasit për gjashtë muaj, kërkoj të lirohen nga akuza, sepse nuk e ndjej vetëm aspak fajtor”, kishte thënë Binaku.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 dhjetor 2014, i akuzuari Xhemë Binaku akuzohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme e kishte keqpërdorur detyrën zyrtare.

Gjithnjë sipas akuzës, i akuzuari Xhemë Binaku, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar në Administratën e Kuvendit Komunal në Drenas, prej vitit 2008 e deri në vitin 2012, ka kërkuar dhe marrë para nga i dëmtuari Bardhyl Geci, në emër të qirasë së lokalit “F8”, në Qendrën Tregtare në Drenas.

Prokuroria pretendon se i akuzuari, për çdo muaj kishte marrë nga i dëmtuari shumën prej 300 eurove, ku gjithsej shuma ka arritur në 10.000 euro dhe se këto pagesa nga i dëmtuari Geci, i akuzuari Binaku nuk i kishte evidentuar dhe paguar komunës.

Me këto, veprime prokuroria e ngarkon të akuzuarin se ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autorizimit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të KPRK-së

loading…