Lirohet në procedurë të rregullt njëri nga të arrestuarit në operacionin “Pika”

I dyshuari F.M, i arrestuar në operacionin e djeshëm të koduar me emrin “Pika”, është liruar në procedurë të rregullt.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi“, e ka konfirmuar avokati Burim Halili.

Halili njoftoi se F.M, u lirua nga masa e ndalimit policor, ndërsa hetimet ndaj tij do të zhvillohen në procedurë të rregullt.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme, 50 zyrtarët e arrestuar, prej tyre 48 zyrtarë policorë dhe dy zyrtarë doganorë, kanë dalë paragjykatës, në dy seanca të ndara.

Për 25 prej tyre, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, kurse për të tjerët u tha se pritet që vendimi të merret gjatë ditës së nesërme.

Ndryshe, një ditë më parë Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes një komunikate për medie, ka njoftuar se me urdhër të Prokurorisë Speciale ka realizuar operacionin e koduar me emrin “Pika” që ka filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit të së hënës në Gjakovë dhe Prizren, i cili ka rezultuar me arrestimin e 50 personave.

Aty thuhej se operacionit i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Tutje, IPK ka njoftuar se hetuesit e Departamentit të Hetimeve muaj më parë kanë pranuar informacione përmes rrugëve operative lidhur me dyshimet për përfshirjen në aktivitetet të kundërligjshme të disa zyrtarëve policorë të punësuar në Drejtorinë Rajonale kufitare “Perëndimi” në Gjakovë respektivisht pikë-kalimeve kufitare në Qafë Prushë dhe Qafë Morinë si dhe dy zyrtarëve doganorë.

“Me autorizimin e Prokurorisë Speciale në kuadër të këtij hetimi nga hetuesit e IPK-së janë përshirë edhe masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit si dhe masat e nevojshme që të zbulojnë dhe të ruajnë gjurmët dhe provat tjera të veprave penale dhe sendet të cilat mund të shërbejnë si prova të cilat mund të përdoren në procedurë penale”, thuhej tutje në njoftim.

“Bazuar në këto veprime të suksesshme hetimore, IPK në kuadër të operacionit “Pika” ka arrestuar sot 48 zyrtarë policorë (duke përfshirë dy togerë policorë – komandantë të pikë kalimeve kufitare në Qafë Prush dhe Qafë Morinë dhe pesë rreshterë) si dhe dy zyrtarë doganorë, që të gjithë të dyshuar për veprat penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “marrje e ryshfetit”, ka njoftuar IPK një ditë më parë.

Aty bëhej e ditur se nga realizimi i veprimeve hetimore nga hetuesit e IPK-së, ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit në këtë rast janë të involvuar me qindra herë (mbi 400 herë) në veprimtari kriminale të veprës penale të “marrjes së ryshfetit” dhe “keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar” .

“Të arrestuarve me aktvendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe ndaj të njëjtëve nga IPK është dhënë edhe rekomandimi për suspendim nga detyrat e punës si pjesë e procedurave administrative”, thuhej në komunikatë.