Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ndërmarrë hapat e parë lidhur me vrasjen e rëndë që tronditi qytetin e Ferizajt mbrëmjen e së dielës, ku mbeti i vdekur 32-vjeçari Florim Haxhidema.
Ndërsa për të dyshuarën kryesore është kërkuar paraburgim, babai i saj është lënë i lirë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar zyrtarisht nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurën Arjeta Roshaj, 24-vjeçare, e cila dyshohet për kryerjen e veprës penale “Vrasja”.
Sipas kërkesës së organit të akuzës, ngjarja tragjike ka ndodhur më 28 qershor 2026, rreth orës 22:40, në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj. Dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje dhe një përleshjeje fizike mes tyre, e pandehura ka privuar nga jeta tani të ndjerin, Florim Haxhidema (32-vjeçar), akt ky që sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) kualifikohet si vrasje nga neni 172.
Në kuadër të këtij hetimi, policia kishte shoqëruar dhe ndaluar fillimisht edhe babain e të dyshuarës, Muhamet Begisholli, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe vlerësimit të përfshirjes së tij të mundshme në rast.
Megjinjëherë pas ekzaminimit të rrethanave të ngjarjes, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, Begisholli është liruar.
Nga përleshja fizike që i parapriu aktit fatal, lëndime trupore ka pësuar edhe vetë e dyshuara Arjeta Roshaj.
Sipas dosjes së prokurorisë, këto lëndime dyshohet se i janë shkaktuar nga viktima (F.H.) gjatë përleshjes.
Për shkak të plagëve të marra, 24-vjeçarja ka pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Gjykata Themelore në Ferizaj pritet të dalë me një vendim brenda afatit ligjor lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës.







