Lirohet Agim Nuha, U.d. i kryeshefit të AZHB-së që u arrestua dje

Një nga të arrestuarit e aksionit të djeshëm në Ministrinë e Bujqësisë është liruar sot.

“Reporteri” nga burime brenda institucioneve të drejtësisë merr vesh se bëhet fjalë për Agim Nuhën, U.d. të kryeshefit në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Nuha ishte në mesin e 4 zyrtarëve në Ministrinë e Bujqësisë që u arrestuan dje. Përpos Prishtinës, aksioni u shtri edhe në Istog, Gjilan, Podujevë dhe Lipjan, që rezultoi me 12 të arrestuar në total nën dyshimet për keqpërdorime të fondeve të subvencioneve.

Agim Nuha ishte  emëruar në pozitën e U.d. të Kryeshefit në AZHB para një viti nga ministri aktual i Bujqësisë, Besian Mustafa.

Në aksionin që zgjati për disa orë janë sekuestruar mbi 400 mijë euro, disa telefona, vetura dhe laptopë.