Lirohen nga pagesa e qirasë gjilanasit që jetojnë në banesa komunale

Që nga 13 marsi, për gjashtë muajt e ardhshëm në komunën e Gjilanit janë liruar nga pagesa familjet që banojnë në banesa komunale.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, në një konferencë për media, i cili shtoi se të liruar nga pagesa janë edhe të gjithë pronarët që shfrytëzojnë hapësirat publike, terasat dhe vendet e tjera.

“Komuna e Gjilanit, liron të gjitha pronarët që shfrytëzojnë hapësirat publike, terasat dhe vendet të tjera, për vitin 2020. Lirohen nga qiraja për 6 muaj, në mënyrë efektive nga 13 marsi, të gjitha familjet që banojnë në objekte dhe banesa komunale. Natyrisht, në kuadër të kësaj po vazhdojmë sigurimin e pakove ushqimore dhe higjienike për të gjitha familjet që janë në nevojë”, ka deklaruar Haziri.

Kujtojmë se për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për masa të reja më rigoroze që do të hynë në fuqi që nga 15 prilli.