Prokuroria Speciale i ka liruar katër personat të cilët u shoqëruan sot në Stacionin Policor në Kaçanik.
Elmedin Raka, Ridvan Axhami, Fatjon Tusha dhe Labinot Murati u arrestuan sot në një aksion të Njësisë Kundër Terrorizmit të Policisë së Kosovës.
Ata dyshohen për tri vepra penale, përfshirë për implikim në rastin e vrasjes së rreshterit policor Muhamed Lika.
Katër të dyshuarit janë liruar pas intervistimit, sipas raportimeve të vazhdueshme të mediave.
Portalet Kallxo.com dhe Indeksonline raportuan sot bazuar në burime se katër të shoqëruarit në Polici në Kaçanik janë lënë të lirë.
Kallxo.com raporton se katër personat janë intervistuar lidhur me shpërndarje të thirrjeve me motive islame përmes rrjeteve sociale në grupin që njihet si “Rinia Islame në Kaçanik”.
Njësia Kundër Terrorizmit, gjatë operacionit të sotëm, mësohet se e ka bastisur shtëpinë e Elmedin Rakës, njërit prej të dyshuarve.
Të dyshuarit janë arrestuar në kuadër të hetimeve për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, i cili u vra të martën e 1 prillit në Kaçanik.







