PSD

Lirohen aktivistët e PSD-së që protestuan kundër kryetares së Gjykatës Speciale

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe anëtarët e tjerë nga kjo parti, të cilët u arrestuan të mërkurën gjatë protestës ndaj kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, janë liruar të premten.

Të premten po ashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe anëtarëve të tjerë nga kjo parti, të cilët u arrestuan të mërkurën gjatë protestës ndaj kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, t’u caktohet masa e arrestit shtëpiak.

Ndonëse protesta ishte paqësore ku vetëm u hodh tymues në shenjë revolte, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka akuzuar Molliqajn e anëtarë të tjerë të kësaj partie për “sulm të personit zyrtar” dhe “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

“Se të pandehurit i kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, vërtetohet nga raportet policore mbi lëndimet e pësuara, nga CD me video incizimet e siguruara nga vendi i ngjarjes, fotografitë nga vendi i ngjarjes, raportet mjekësore mbi lëndimet e pësuara, vërtetimi mbi sendet e sekuestruara”, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Anëtarët e Partisë Socialdemokrate kishin gjuajtur tymues afër hotelit ku po qëndronte Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, derisa Policia e Kosovës kishte intervenuar duke e arrestuar kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj dhe pesë aktivistët e tjerë, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Korab Korça, Agron Kabashi dhe Gent Ibrahimi, në aksionin e së mërkurës në kundërshtim të Gjykatës Speciale.

Menjëherë pas arrestimit PSD, kishte kërkuar nga Policia e Kosovës që t’i lirojë aktivistët.

Në reagim po ashtu theksohej se arrestimi i aktivistëve ishte përpjekje për disiplinim dhe përmirësim imazhi për Gjykatën e padrejtë speciale.