Lirimi nga paraburgimi, avokati i Thaçit ankohet në Apelin e Speciales

Gregory Keohe, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur që betejën me drejtësinë për lirimin nga paraburgimit të klientit të tij, ta vazhdojë në Gjykatën e Apelit të Speciales.

Në parashtrimin e tij të publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara, Keohe ka numëruar disa nga arsyet pse vendimi i shkallës së parë sipas tij, ka qenë i padrejtë.

“Vendimi për të mos thirrur një seancë dëgjimore nuk u mor dhe kjo përbën një abuzim të diskrecionit. Rreziku i ikjes mbështetet në një arsyetim të gabuar nga Prokuroria e Specializuar. Gabim kishte edhe kur konstatuan se z.Thaçi kishte mundësi t’i përsëriste krimet. Nuk u arrit të hetohen dhe vlerësohen të gjitha kushtet për lirim nga paraburgimi”, thuhet në parashtresë.

Si rezultat, mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të z.Thaçit nga paraburgimi.

Për këtë çështje, tash kryetarja e Dhomave të Specializuara do ta caktojë një panel të Apelit.