Lirim Kastrati: Kam gjak Kosove, krenar që e kam zgjedhur Kosovën

Futbollisti i ri i Kombëtares së Kosovës, Lirim Kastrati, në shkurt të këtij viti ka nënshkruar për gjigantin kroat Dinamo Zagreb

Ai ka pasur një sezon të shkëlqyeshëm me Lokomotivën e Zagrebit, skuadër e cila për herë të parë në histori u kualifikua për Ligën e Kampionëve, teksa mbrëmë pësoi humbje në finale të Kupës së Kroacisë kundër Rjekës.

Në një intervistë për “Arena Sportive” në RTK, Kastrati ka folur edhe për Kombëtaren e Kosovës dhe për zërat se ai mund t’i bashkohet Kombëtares së Shqipërisë, duke pasur parasysh se deri më tash ende nuk e ka fituar besimin e trajnerit Challandes në ndeshje zyrtare, raporton GazetaSheshi.

“Aty ku mundem të ndihmojë gjithmonë do të jem i gatshëm. Pa marrë parasysh me Kombëtaren A apo me U21. E kam zgjedh Kosovën dhe jam krenar që jam pjesë e kësaj kombëtareje. Jam vazhdimisht në kontakt me trajnerët Bernard Challandes dhe Rafet Prekazi”.

“Gjithmonë kur vijë të luaj për Kosovën e jap maksimumin dhe mundohem të arrijmë rezultate sa më të mira. Kalimi i mundshëm te Shqipëria? Jo, jo nuk ka asgjë të vërtetë. Nuk kam kontakte që një vit e gjysmë me Kombëtaren e Shqipërisë. Kur kam vendosur të luaj për Kosovën kam vendos me zemër dhe kurrë nuk e vë në dyshim atë vendim dhe nuk i bie pishman. Jam i lindur në Kosovë dhe kam gjak Kosove dhe gjithmonë jam krenar me zgjedhjen time”, është shprehur tutje Kastrati.