Lirak Çelaj, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës ka deklaruar se ka kërkuar dorëheqjen e Kryesisë së partisë mirëpo pas tendencave për manipulim të procesit, e ka tërhequr kërkesën.

Këtë deklaratë, Çelaj e bëri pasi doli nga mbledhja e Këshillit Drejtues të PDK-së e cila zgjati për gati gjashtë orë.

Çelaj tha se kërkesën për votëbesim ndaj Kryesisë e bëri për shkak se konsideron se dikush duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin e dobët të partisë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Pata edhe unë propozim patën edhe të tjerët për tu vënë në votëbesim por u mundua që të manipulohet nga Kryesia, në mënyrën se si do të qitej në votëbesim, edhe nuk pat kuorum por edhe u mundua të manipulohet Këshilli Drejtues për këtë çështje dhe unë u tërhoqa sepse konsideroj se kjo formë është jolegjitime. E para nuk u konstatua kuorumi, e dyta konsideroj që Kryesia nuk ka të drejtë të votojë votëbesim për vetën. Pat tendencë që të hidhet në votim por mënyra se si dështoi të hidhej unë nuk pranova dhe e lashë me kaq. Thjesht reflektim me marrë dikush përgjegjësinë për këtë rezultat kaq të dobët”, është shprehur Çelak.

Sipas tij, Këshilli Drejtues duhet ta votojë votëbesimin për Kryesinë e jo Kryesia për Kryesinë siç është tentuar të ndodhë.