Liqeni me bukuri vrasëse, i kaltër si qielli por helmues

Një liqen në Siberi, ku njerëzit shpesh herë kanë shkuar për të bërë fotografi, në fakt ka dalë që është helmues nga mbetjet e fabrikave.

Liqeni, i cili njihet si “Maldivet e Siberisë” për shkak se duket si një vend tropikal, ka bërë që të jetë vendi perfekt për fotografi të bukura të Instagramit, raporton BBC, transmeton Gazeta Express.

Por fakti që ai është i kaltër, nuk vjen nga pastërtia, por për shkak të pranisë së madhe të kalciumit dhe oksideve metalike të termocentralit.

Duke parë që njerëzit gjithmonë e më shumë shkonin për të bërë fotografi, kompania ruse e cila e menaxhon termocentralin ka kërkuar nga njerëzit që të mos i afrohen ujit.

Por me sa duket, paralajmërimi i kompanisë vetëm sa i ka nxitur njerëzit edhe më shumë që ta vizitojnë liqenin.

Duke bërë humor me helmin e ujit, një përdorues i Instagramit ka postuar një foto të tijën, duke shkruar “Nuk është Çernobil, por gjithsesi, mbetet i rrezikshëm!”

Një person tjetër, postoi fotografi të vetes së tij duke u relaksuar në një gomë e cila e mbante atë mbi ujë.

Ai shkroi: “Nuk është e rrezikshme që të notosh këtu. Mëngjesin tjetër, këmbët e mia mu bënë të kuqe dhe kisha dhimbje për dy ditë, por e gjitha kaloi. Por çfarë nuk do të bënim për fotografi kaq të bukura” tha ajo.

Leo Alexey, kishte vizituar katër herë liqenin, por asnjëherë nuk ishte futur në ujë.

I kontaktuar nga BBC, ai tha se vetëm ka qëndruar afër por asnjëherë nuk është futur në ujë, duke shtuar se “Nuk preferohet ta prekni ujin. Mund të ju shkaktojë alergji”.

Kompania Gjeneruese e Siberisë, e cila edhe e menaxhon termocentralin, shkroi në rrjetin social rus VKontakte, “Mos notoni në mbetjet e termocentralit”.

“Kjo vjen për shkak të përmbajtjes së lartë të kripës së kalciumit dhe oksidet e tjera metalore të cilat janë në përbërjen e ujit. Kontakti i lëkurës me këtë lloj uji mund të shkaktojë reagim alergjik” thuhet në njoftim.