Liqenet me ngjyrat më spektakolare në botë

Ato ndodhen në vende të largëta, por janë kaq të veçantë saqë sigurisht do t’ia vlente të bënit një udhëtim për t’i admiruar.

Këto dhjetë liqene kanë ngjyra kaq të pazakonta dhe të çuditshme (e kuqe, portokalli, e gjelbër, madje dhe gjithë këto ngjyra së bashku) sa që duken si një shaka e natyrës apo fryt i penelit të një piktori të çmendur.

 

LIQENI PEYTO – KANADA

Kjo pasqyrë e mrekullueshme uji ka një ngjyrë të fortë blu, për shkak të shkëmbinjve që formojnë sfondin. Ndodhet në rrëzë të Rocky Mountains dhe e ka marrë emrin nga Bill Peyto, një eksplorues i shekullit XX që vizitoi këtë zonë dhe zbuloi liqenin.

 

GRAND PRISMATIC SPRING – PARKU KOMBËTAR YELLOWSTONE – SHBA

Është një nga liqenet natyrorë më të mëdhenj në botë të formuar nga burime të nxehta. Ngjyrat e tij janë të mrekullueshme për shkak të mineraleve të tretura në ujë dhe aciditetit të lartë, përveç mikroorganizmave që jetojnë në pjesët më jashtme të liqenit. Në pjesën qendrore, me ngjyrë blu të fortë, nuk jetojnë gjallesa për shkak të temperaturave të larta të ujit.

 

DON EDWARDS SAN FRANCISCO BAY NATIONAL WILDLIFE REFUGE – KALIFORNI

Në këtë rezervat ujor, parajsë për shpendët migratorë, gjenden liqene të shumta, me ngjyra të çuditshme, për shkak të kripësisë së ujit dhe avullimit të lartë. Ngjyrat ndryshojnë në varësi të përqendrimit të kripës dhe temperaturës së jashtme.

 

LAGUNA VERDE, BOLIVI

Është një liqen i kripur, rreth 4300 metra mbi nivelin e detit, në kufi me Kilin, brenda Eduardo Avaroa National Reserve of Andean Fauna. Ngjyra e tij është për shkak të sendimenteve të mineraleve të bakrit të depozituara në fund.

 

CAÑO CRISTALES – KOLUMBI

Pishinat e ujit të formuara nga lumi Caño Cristales nga korriku në nëntor shndërrohen në një gamë ngjyrash sa që lumi quhet ndryshe “Liquid Rainbow”. Uji ka pesë ngjyra të ndryshme: e verdhë, e gjelbër, blu, e zezë e mbi të gjitha e kuqe, për shkak të ciklit jetësor të bimëve endemike në fund të liqenit.

 

LAGUNA COLORADA – BOLIVI

Një liqen i kripur, në ngjyrë ndryshku, i cili ndodhet në Ande, në territorin e Bolivisë. Në këtë lagunë, jetojnë specie të shumta zogjsh dhe peshqish. Një habitat natyror i jashtëzakonshëm, ashtu si edhe ngjyrat e ujërave. Ngjyrat e kuqe-portokalli shkaktohen prej sedimenteve të kuqe por edhe pranisë së mikroorganizmave dhe nga pigmentimi i disa algave.

 

HELLS OF BEPPU – JAPONI

Kjo pishinë vullkanike me ujëra të ngrohta dhe ngjyrë portokalli të fortë të sjell ndër mend një peizazh jashtëtokësor ose nga ferri. Është peizazhi më kompleks i shtatë burimeve vullkanike me impakt të madh vizual dhe ngjyra më të zakonshme.

 

EMERALD LAKES – ZELANDË E RE

Është një kompleks i pasqyrave të ujit në Ishullin e Veriut, në brendësi të Tongariro Alpine Crossing. Ngjyrat e ujërave janë të jashtëzakonshme, nga e gjelbra e smeraldit në blunë e fortë.

 

LAKE GRASSMERE – ZELANDË E RE

Mbetemi në Zelandë të Re, por në një ishull tjetër me një ngjyrë tjetër. Liqeni ka sipërfaqe 17 km katrorë. Për shkak të erërave të forta të nxehta në këtë rajon dhe avullimit të madh, ujërat e liqenit marrin ngjyra të forta dhe të pazakonta.

 

LAC ASSAL – XHIBUTI

Shkojmë në Afrikë për të admiruar këtë pasqyrë të ujit të kripur, këtë herë me ngjyrë të bardhë të pastër. Ai ndodhet 155 metra nën nivelin e detit dhe është pika më e ulët e Kontinentit. Thellësia maksimale e ujit është më e vogël se 20 metra. Kripësia e ujit është dhjetë herë më e lartë se sa ajo në det, për shkak të masave të ngurtësuara të kripës për një thellësi të mëtejshme prej qindra metrash.