Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka prezantuar sot një projekt të rëndësishëm infrastrukturor që synon të transformojë hyrjet kryesore të qytetit dhe të rrisë sigurinë në komunikacion.

Projekti përfshin ndërtimin e dy rrethrrotullimeve moderne: i pari në kryqëzimin e rrugëve “Avdi Kelmendi”, “Lekë Dukagjini” dhe “Ibrahim Rugova”, ndërsa i dyti në kryqëzimin “Haxhi Kleqka”, “Marie Shllaku” dhe “Ibrahim Rugova”. Krahas tyre do të ndërtohen nënkalime të sigurta për këmbësorë dhe shtigje për çiklistë.

“Lipjani nuk mund të presë më. Ka ardhur koha për zgjidhje të guximshme që lehtësojnë qarkullimin dhe garantojnë siguri për të gjithë,” deklaroi Buja gjatë prezantimit.

Sipas kandidatit, ky projekt nuk është vetëm një ndërhyrje infrastrukturore, por një hap strategjik drejt një Lipjani modern, të qasshëm dhe miqësor për këmbësorët, familjet dhe bizneset.