Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka bërë të ditur një nismë të re ambicioze për edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve të komunës. Ai ka theksuar se edukimi nuk përfundon vetëm në bankat e shkollës, ndaj komuna do të ndërtojë pishina moderne shkollore jo vetëm në qytet, por edhe në Shalë, Magurë, Janjevë, Dobrajë të Madhe, Gadime dhe Sllovi.

Sipas tij, këto pishina do të jenë të standardizuara dhe të qasshme për të gjithë nxënësit, me transport të organizuar nga komuna, në mënyrë që çdo fëmijë të ketë mundësi të mësojë notin.

“Kjo nuk është vetëm një investim në infrastrukturë, por një investim në shëndetin, sigurinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Së bashku po ndërtojmë një Lipjan më të shëndetshëm, më aktiv dhe më të drejtë për të gjithë,” ka deklaruar Buja.

Ky projekt shihet si një hap i rëndësishëm drejt promovimit të aktivitetit fizik, zhvillimit të aftësive jetësore dhe krijimit të mundësive të barabarta për të gjithë nxënësit e Lipjanit.