Linja e Ukrainës për ushtarët rusë që duan të dorëzohen, Kievi: Po marrim 100 telefonata në ditë

Qeveria ukrainase ka krijuar një linjë telefonike përmes të cilës ushtarët rusë mund të dorëzohen, dhe se në ditë pranojnë deri në 100 telefonata prej tyre. Projekti “I Want to Live” (dua të jetoj) filloi në shtator.

Në këtë mënyrë, ushtarët rusë mund të negociojnë mënyrën më të mirë të dorëzimit tek ushtarët ukrainas. Zyrtarët në Kiev thonë se kanë kontaktuar me 3.500 ushtarë që ishin pjesë e pushtimit rus në Ukrainë, por edhe nga familjarët e tyre.

Çdo telefonatë është e ndryshme, sipas një operatori të shërbimit në Kiev, i quajtur Svitlana. Shumë preferojnë të telefonojnë kryesisht në mbrëmje dhe gjatë natës, që askush të mos i dëgjojë.

Për shembull, në një nga telefonatat e transkriptuara nga BBC, një ushtar rus në Kherson pyet se çfarë të bëjë kur të mbërrijnë ushtarët ukrainas: “A duhet të ulemi në gjunjë dhe të themi se do të dorëzohemi?”

Ukrainasit kanë deklaruar se ata do të sigurojnë integritetin fizik të tyre dhe do të kthehen në shtëpi si robër lufte nëpërmjet shkëmbimit të të burgosurve.

Ata gjithashtu kanë mundësinë të qëndrojnë në Ukrainë përgjithmonë dhe të bëhen ukrainas, megjithëse do të jenë nën vëzhgim nga autoritetet ukrainase për spiunazh ose sabotim të mundshëm.

/abcnews.al