Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se partia e tij do të dyfishohet në zgjedhjet e ardhshme.
Këtë deklaratë ai e ka bërë gjatë mbledhjes së parë të Këshillit Drejtues të Rinisë së Nismës Socialdemokrate, e mbajtur pas mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor të Rinisë.
Limaj ka thënë se rinia e Nismës sot po kalon në një fazë tjetër. Ai ka thënë se prezantimi i platformës nga ana e kryetarit të rinisë dhe qasja e të rinjve është hapi rëndësishëm për të arritur objektivat.
Sipas Limajt, më këtë po tregohet seriozitet, pjekuri dhe ambicie për të arritur objektivin.
Më tutje, kryetari i Nismës ka thënë se këto pesë vite mjaftueshëm është dëshmuar se partia i kushton kujdes shqetësimeve të rinisë.
Ai është zotuar se nëse rinia aktivizohet, atëherë në zgjedhjet e ardhshme kurdo që mbahen, Nisma do të jetë dyfish më të fuqishme se sa është sot.







