Limaj: Target i UÇK-së ka qenë okupatori dhe jo LDK

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj, deklaroi se target i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka qenë okupatori serb dhe jo njerëzit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ai ka rikujtuar edhe një bisedë me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugovën, gjatë një vizite të përbashkët në SHBA.

Limaj, në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini tha se edhe vetë ai ka qenë i akuzuar për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” por që trupi gjykues i shkallës së prë dhe ai i Apelit i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka sjellë vendim se nuk ka qenë UÇK ajo që është pretenduar.

“Target i UÇK-së ka qenë okupatori serb, dhe këtë nuk ka nevojë me e thanë. UÇK-ja ka pasur një target çlirimin e vendit të vet, UÇK-ja nuk ka pasur target as ndaj ushtrisë jugosllave deri sa është dal prej kazermave. Kurrë nuk ka ndodhur që me të sulmohet një kazermë ushtarake deri sa ata nuk kanë dalë veprime ushtarake”, është shprehur Limaj.

Limaj ka shtuar se UÇK-ja kishte shënjestruar aparatin e dhunës, të ashtuquajturat stacione policore, të cilat sipas tij, po i prezantojnë si stacione dhe nga ana e tij nuk ishin stacione pasi që stacionet policore në Kosovë kanë përfunduar në vitin 1992.

“Stacione të policisë në Kosovë nuk ka pasur mbas viti 1990 kur janë larguar policia e Kosovës, ka pasur vende çerdhe, gestapo ku është ushtruar dhuna, ku janë dhunuar e vrarë të rinjtë e të rejat e Kosovës. Këto kanë qenë pikat e ndalimit të aparatit të dhunës serbe dhe ky ka qenë targeti i UÇK-së”, ka deklaruar ai.

Limaj e ka rikujtuar një bisedë me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugovën, gjatë një vizite të përbashkët në ShBA.

Fatmir Limaj, tregoi në “Debat Plus”, se e ka pyetur Rugovën në vitin 1999 , se “a ke menduar që kemi me ardhë në këtë pikë se mundet me ardhë lufta”.

Rugova, sipas Limajt ishte përgjigjur kështu: “Po si jo, veprimin e parë e kemi bërë për organizimin e ministrisë së rendit dhe mbrojtjes, por për një javë ditë na u burgosën njerëzit, dhe më s’kam ditur se çfarë, s’kemi pas siguri, çfarë njerëz kemi brenda”.

Limaj tha se ish-presidenti Rugova, e kishte nisur organizimin për luftë por që kishte dështuar.

“Rugova e ka nis këtë punë, ‘90-tën, ‘91 dhe ‘92, por hala pa e nis, i kanë shkuar në shërbim sekret. A e dini kur janë burgos, njerëzit e policisë, dhe ministrisë së rendit dhe mbrojtjes? Gjithë njerëzit që janë angazhuar, në kuadër të ministrisë së mbrojtjes, janë arrestuar brenda një jave, ma kë thënë presidenti”, tha Limaj në RTV Dukagjini.