Kreu i NISMAS Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se mospranimi i Republikës së Kosovës në INTERPOL, është një lajm shumë i keq për ata të cilat duan më shumë siguri dhe që kërkojnë partneritet për luftimin e krimit dhe terrorizimit.
Sipas Limajt me këtë votim kundër Kosovës, u mundësohet kriminelëve që t’i ikin drejtësisë.
Kreu i NISMA’së thotë se gëzimi i Serbisë karshi kësaj ngjarje tregon edhe një herë qasjen destruktive të udhëheqësve të këtij shteti karshi Republikës së Kosovës.
“Në fakt Vuçiqi i ka thënë qartë arsyet se pse ata i frikësohen anëtarësimit të Kosovës në Interpol sepse kjo do t’ia mundësonte Kosovës t’i ndiqte të dyshuarit që kanë kryer krime e gjenocid në Kosovë”, ka thënë Limaj.
Reagimi i plotë:
Mospranimi i Kosovës në Interpol është lajm i keq për ata që duan më shumë siguri, paqe e stabilitet dhe për të gjithë ata që kanë nevojë për partneritet në luftimin e krimit dhe rrjeteve terroriste.
Vota kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol nënkupton më pak siguri e stabilitet në rajon, më shumë hapësirë e mundësi për krim të organizuar dhe mundësi që kriminelet t’i ikin drejtësisë.
Shpallja si fitore e Serbisë për mosanëtarësimin e Kosovës në Interpol shpërfaq edhe njëherë qartë së udhëheqja shtetërore serbe as nuk ka qenë dhe as nuk është për paqe, stabilitet, normalizim e bashkëpunim në rajon.
Në fakt Vuçiqi i ka thënë qartë arsyet se pse ata i frikësohen anëtarësimit të Kosovës në Interpol sepse kjo do t’ia mundësonte Kosovës t’i ndiqte të dyshuarit që kanë kryer krime e gjenocid në Kosovë.







