Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili njëherësh është edhe bashkëdrejtues i Delegacionit shtetëror të Kosovës për dialog me Serbinë, ka thënë se nuk e kupton opozitën se si vazhdimisht ka folur se si Kuvendi si institucion nuk është faktor në dialog me shtetin fqinj, kurse në momentin që Kuvendi i Kosovës është faktorizuar ata e kontestojnë këtë fakt.

Lidhja Demokratike e Lëvizja Vetëvendosje e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës.

Por Limaj është shprehur i habitur me këtë hap.

Ai ka thënë se opozita vazhdimisht është ankuar se Kuvendi nuk ka rol në dialog dhe në momentin kur gjërat filluan të kthehen në normalitet ai tash nuk e kupton qëndrimin e tyre. “Opozita në vend se ta fuqizojë rolin e Kuvendit ata po e kontestojnë” , ka thënë ai për rtk.

“Opozita a ka problem me presidentin apo s’ka, opozita më mirë është të thotë: po ia lëmë dialogun presidentit se sa ta heq ligjin”.

Limaj ka thënë se u është bërë e qartë miqve ndërkombëtarë se Kosova shkon në dialog vetëm për njohjen e Kosovës.

Ai është shprehur se Platforma e miratuar në Kuvend ka qenë investim i përbashkët me partnerët e koalicionit.

Për taksën, Limaj ka thënë se në koalicion ka këndvështrime të ndryshme dhe se ata gjenden në dialog intensiv.