Limaj: Rreth 500 vende të lira të punës në Ferizaj

Derisa në Kosovë papunësia vazhdon të jetë shumë e lartë, në komunën e Ferizajt, janë afro 500 vende të lira të punës.

Kështu ka thënë kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj sonte në një tubim me të rinjtë e kësaj partie.

Ai tha se rinia e Kosovës është vetëm kërkuese dhe aspak nuk mundohet të arrijë qëllimet dhe ëndrrat e tyre.

Ai ndërkaq ka motivuar të gjithë të rinjtë të ndjekin programin e qendrave për aftësime profesionale.

Ndërsa, kryetari i rinisë socialdemokrate Albert Maxhunaj tha se në këtë takim janë mbledhur për të konkretizuar platformën e tyre për të rinjtë e Kosovës.

“Ne jemi dëshmitarë, që shumë të ri e të reja, sot nuk kanë përgatitje profesionale. Jo të gjithë kanë fatin që të kenë një diplomë universitare. Çfarë jemi duke bërë ne si të ri, që t’i drejtojmë të rinjtë dhe të rejat drejt përgatitjes profesionale. A jemi të gatshëm ne, që të jemi të aftë për punë. Sa djem dhe vajza të reja kemi që nuk janë të aftë për tregun e punës. Fatkeqësisht, ne sot mendojmë që zgjidhjen më e lehtë është që të ulemi dhe të kritikojmë”, tha ai.