Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, është shprehur i bindur që shumë shpejt do të konstituohen të gjitha institucionet e vendit.
Pavarësisht se për herë të 26-të dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Limaj theksoi se si parti janë të gatshme të ofrojnë zgjidhje.
“Besoj që tanimë tash e sa kohë janë zhvillimet e njëjta. S’ka dilemë që qytetarët e Kosovës presin sa më shpejt ndërtimin e institucioneve edhe unë besoj që dalëngadalë po afrohet koha edhe besoj shumë shpejt Kosova do t’i ketë institucionet e veta, shpresoj. Secili subjekt politik e ka një agjendë të veten për t’i shteruar alternativat e ndryshme. Ajo që është e qartë, është që duhet të ketë një marrëveshje politike, e cila do t’i japë Kosovës institucionet, edhe në Parlament, edhe në Qeveri. Besoj që secili subjekt politik e ka përgjegjësinë e vet. Ne si Nismë, me respekt për qytetarët e Republikës së Kosovës, të votuesve tanë, kemi ofruar një mundësi mbi bazën e mundësive tona. Ideja është për të qenë të përgjegjshëm, për të dhënë kontributin tonë për të dalë nga kjo krizë dhe sa më shpejt Kosova t’i ketë edhe institucionet e tjera. Jam i bindur që shumë shpejt, edhe një herë po them, vendi ynë do t’i ketë institucionet e veta”, tha Limaj, raporton Zeri.info.
Sa u përket takimeve, Limaj tha se ato janë të mirëseardhura.
“Tanimë takimet kanë ndodhur dhe do të ndodhin. Sot e kemi edhe me presidenten edhe besoj që takimet e tilla janë lajme të mira kurdo që ndodhin, pavarësisht nga kush thirren. Për faktin që shihet se është një përpjekje për të gjetur zgjidhjen, besoj që do të ketë pjekuri të mjaftueshme që një moment të caktuar të vijmë edhe te zgjidhja. Nisma është e gatshme me e dhënë kontributin e vet, me qenë e përgjegjshme, me ofrua zgjidhje mbi bazën e mundësisë dhe fuqisë tonë politike. Secili subjekt merr përgjegjësi e vet. Ne si parti politike jemi pozicionuar, kemi dëshirë që të ofrojmë një zgjidhje që të kalohet kjo krizë. Kemi dashur që të jemi t ë përgjegjshëm edhe para votuesve tanë edhe para qytetarëve që me kapacitetet tona dhe mundësitë e tona që i kemi, të ofrojmë një zgjidhje. Se a do të jetë kjo një zgjidhje, kjo nuk varet vetëm nga ne varet edhe nga të tjerët”, theksoi Limaj.







