Limaj: Platforma për dialogun do të finalizohet sot

Bashkëkryesuesi i ekipit negociator, Fatmir Limaj ka thënë se platforma e dialogut sot ka marrë formën e vet finale.

“Platforma ka marrë formën e vet finale, kemi pas takim me krerët e shtetit, të tre kanë dhënë mbështetjen e plotë, në orën 15:00 e kemi edhe miratimin final dhe nesër do t’ia dërgojmë parlamentit”, ka thënë Limaj.

Ai ka theksuar se në tërësi është mbështet teksti që e kanë dërguar dje.

I pyetur nëse temë diskutimi ishte edhe taksa, Limaj ka thënë se tema kryesore ka qenë platforma.

“Kosova po e kërkon pozicionin e vet zyrtar për njohje me Serbinë, delegacioni shtetëror është takuar për platformë”, është shprehur ai.

Limaj ka shtuar se nuk beson që dikush në parlament s’do ta mbështes këtë platformë e cila është në përputhshmëri të plotë me kushtetutën e Kosovës.