Limaj: Nuk diskutohet partneriteti me SHBA-në, do ta gjejmë rrugën e drejtë

Zv.kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj pas mbledhjes së Komisionit për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’, ka mbajtur një konferencë për media.

Limaj është pyetur edhe për takimin e djeshëm me krerët e shtetit dhe zhvillimet e fundit të vendit.

I pyetur rreth taksës dhe kërkesës së SHBA-së për ta pezulluar atë, Limaj ka thënë se Kosova ka kaluar edhe momente të tjera ku e ka treguar veten.

“Jemi në një situatë të rëndë, por vendi ynë është ballafaquar edhe më parë me tema të rënda. Po të shohim ku kemi qenë para 20 viteve e shohim rrugëtimin që e kemi bërë. Gjatë rrugëtimit kemi pasur momente ku kemi ndërmarrë vendime të rënda, janë bërë gabime pastaj i kemi përmirësuar, por kemi gjetur unitet për temat e mëdhaja për interesin e vendit”, ka thënë Limaj, raporton Ballkani.info.

Tutje, Limaj ka folur edhe për presionin e ambasadorit amerikan për heqjen e taksës, duke theksuar edhe njëherë rëndësinë e partneritetit me SHBA-në.

“Ne do të gjejmë rrugën e drejtë edhe për këto tema, por nuk diskutohet partneriteti me SHBA-në”, ka përfunduar Limaj. /Ballkani.info