Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj po kthehet nga Brukseli optimist sa i përket arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, të cilës, sipas tij, nuk duhet t’i caktohet afat kohor. Ai thotë se Kosova do të prezantohet si shtet në dialog, e jo më mbi baza individuale. Shprehet këmbëngulës se s’do të ketë marrëveshje me Serbinë pa zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve.

Pas takimit që delegacioni shtetëror për dialogun me Serbinë pati me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, Limaj nga Brukseli tregon se aty u qartësua se Kosova do të prezantohet si shtet, e jo mbi baza individuale. Në një intervistë për KosovaPress, njëri nga dy kryesuesit e dialogut foli edhe për rolin e presidentit në këtë proces.

Ai thotë se do të unifikohen në Prishtinë, për të folur me një zë në Buksel.Sipas tij, Kosova në Bruksel, në bisedimet me Serbinë, prezantohet si shtet dhe nuk ka më mbi baza individuale e personale.

Tutje, ai thekson se e arritura e këtij takimi është se i është bërë e qartë BE-së se mos njohja nga Serbia është çelësi i të gjitha problemeve që po paraqiten në mes dy vendeve.Njëherësh, ai ka folur edhe për rolin e SHBA-së në procesin e dialogut dhe mundësinë ekzistuese që kjo e fundit të kyçet direkt në këtë proces.

Për zërat se një marrëveshje përfundimtare mund të ndodhë shumë shpejt, në tremujorin e parë të këtij viti, Limaj thotë se nuk duhet vënë afate të caktuara, pasi që sipas tij, është me rëndësi të arrihet një marrëveshje e mirë.

Bashkëkryesuesi i dialogut përsëriti se taksa e vënë ndaj Serbisë, hiqet vetëm atëherë kur pushojnë arsyet për çka është vënë ajo. Teksa thotë se nuk do të mund të arrihet asnjë marrëveshje pa u zbardhur fati i të pagjeturve.Krejt në fund, Limaj deklaron se nga takimi i sotëm me përfaqësuesit e BE-së, u vu në pah se ka një pajtim të përbashkët që ka një atmosferë dhe ka kushte që të punohet intensivisht për të ardhur tek marrëveshja përfundimtare me Serbinë, obliguese për të dyja palët.

Sipas tij, pozicioni i Kosovës është që fillimisht të gjendet zgjidhja për të gjitha temat e hapura në tavolinë.