Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në një konferencë për media tha se ai e di se si fitohen zgjedhjet dhe si ndryshohet qeverisja.

Limaj u shpreh se në partinë e tij nuk do ta kalkulohet se kush do të bëhet deputet, por duan ta ngjallin shpresën për ndryshim.

“Unë e di se si fitohen zgjedhjet edhe e di se si ndryshohet qeverisja, prandaj shprehi gjithë mirënjohjen time, ekipes e bashkëpunëtorëve, të cilët e dinë dhe e njohin orientimin dhe qëndrimin dhe jemi rreshtuar ne 110 kandidatë e me qindra e mijëra tjerë për ta ngjallur shpresën për ndryshim”

“Ne nuk do të kalkulojmë kush bëhet deputet, ne kemi vendosur 110 me gjithë ata që kemi prapa, me i shërby, sepse besojmë se ndryshimi në Kosovë është i domosdoshëm dhe kjo është betejë për fitore për Kosovën”, tha ai.

Limaj gjithashtu u shpreh se qeverisja ndryshohet veç nëse Nisma futet në parlament dhe bëhet ai siç u shpreh, grupi i madh e krenar i PDK-së.

“Qeverisja do të ndryshohet vetëm NISMA futet në parlament dhe bëhet ai grupi i madh, i dikurshëm, i fuqishëm, krenar i Partisë Demokratike të Kosovës, që ka brenda vlerën, që kur flet për UÇK-në zemra i gufon, kur flet për lirinë, zemra i gufon, kur flet për shtetin, zemra i gufon, që ka vepra prapa”, tha Limaj.